Lidhje me faqet e vjetra të PKG

Faqet e ndërkombëtare të PKG transferohen gradualisht në format të ri. Ju mund të gjeni faqet e mëparshme qe tashmë jane përmirsuar (me të gjitha përbërjet e tyre) në linkun e mëposhtëm.

BROSHURË E KKE

Politekniku rron!

• Në luftën për përmbysjen e diktaturës së kapitalit!

• Në luftërat kundër përfshirjes së Greqisë në luftërat e SHBA - NATO - BE!

Sloganet «Jashtë SHBA - Jashtë NATO» janë më koherente se kurrë!

- Me përgjegjësinë e qeverisë së ND dhe konsensusin e partive opozitare sistemike (të çdo ngjyre dhe origjine...), Greqia po përfshihet gjithnjë e më thellë në planet e luftës së NATO-s, SHBA-ve dhe BE-së kundër konkurrentëve të tyre, Rusisë dhe Kinës.

Nën përgjegjësinë e qeverisë, po dërgohen armë në Ukrainë për regjimin e Zelensky-t, ajo mbështeti Izraelin në gjenocidin e popullit Palestinez dhe tani mbështet planin Trump - Netanyahu, i cili varros perspektivën e krijimit të një shteti të pavarur palestinez. Për interesat e klasës borgjeze, po e kthejnë vendin në një pikënisje për luftëra dhe në një objektiv për kundërpërgjigje. Asnjë besim tek qeveria dhe partitë e përfshirjes në luftë!

- Planet euroatlantike për ta bërë Greqinë një qendër energjie, në kontekstin e çlirimit të Europës nga gazi natyror rus, po e shndërrojnë vendin në një fuçi baruti konkurrencash.

«Nyje energjetike» ishte edhe Ukraina. Planet e tyre nuk kanë asnjë lidhje me nevojat e popullit për Energji të lirë, infrastrukturë të sigurt, mbrojtje të mjedisit. Të fituar do të jenë gjigantët vendas dhe të huaj të energjisë, pronarët e anijeve dhe kompanitë e mëdha të ndërtimit. Synimi i klasës borgjeze për një «Greqi - nyje energjetike» shërbehet nga qeveria e ND dhe u inaugurua nga qeveria SYRIZA - ANEL me Cipras-in.

- Janë duke u nisur zhvillime negative në çështjet greko-turke dhe për Qipron, me vulën e SHBA-ve dhe NATO-s. Synimi i ruajtjes së kohezionit të NATO-s po u jep përparësi pretendimeve të papranueshme turke kundër sovranitetit dhe të drejtave sovrane të vendit, dhe planeve për "bashkë-shfrytëzim" në detin Egje dhe Mesdheun Lindor.

Përfituesit e këtyre zhvillimeve janë grupet e energjisë, klasat borgjeze të Greqisë dhe Turqisë. Humbësit janë popujt. Pasuria energjetike, e cila mund të përdoret për mirëqenien e popullit, po konfiskohet dhe shpërndahet nga monopolet bazuar në interesat e tyre. Ata nuk do të hezitojnë përballë çdo krimi kundër popullit. NATO-izimi po përparon në Qipro, ndërsa po bëhen përpjekje për të legjitimuar rezultatet e invazionit dhe pushtimit turk.

- Ekonomia e luftës në Bashkimin Europian -dhe jo vetëm- është paradhoma e konfliktit të përgjithësuar imperialist. Ekonomi lufte do të thotë punë deri në rraskapitje për punëtorët, intensifikim të terrorizmit të punëdhënësve, kriminalizim të aktivitetit sindikal, shtypje.

Do të thotë që ajo që prodhojnë punëtorët shfrytëzohet për të masakruar popuj të tjerë, madje edhe për shfarosjen e tyre. Do të thotë shkurtime në Shëndetësi, Arsim, pensione për të financuar luftërat e kapitalit.

Kjo politikë shërbehet nga të gjitha llojet e qeverive, liberale dhe "të qendrës së majtë", të ekstremit të djathtë dhe gjoja "progresive". «Sundimi i ligjit» që thotë BE është vazhdimisht duke u përshtatur për të imponuar "ligjin" e padrejtësisë klasore dhe të luftërave, sepse kjo është ajo që shërben.

Me KKE në ballë për përmbysjen!

Partia Komuniste e Greqisë (KKE) ishte pioniere në zhvillimin e luftës anti-diktatoriale dhe në kulmin e saj në muajin nëntor 1973 në Universitetin Politeknik. Ajo është krenare për anëtarët dhe kuadrot e KKE dhe KNE, të cilët qëndruan të palëkundur, së bashku me militantë të tjerë, në mërgim, në burg, në tortura.

Nën hundën e juntës ushtarake, në ilegalitet, me guxim dhe vetëmohim, KKE dhe KNE organizuan luftën kundër rrymës së kompromisit që "këshillonte" popullin në atë kohë të mos reagonte "sepse junta nuk do të binte". Kryengritja e Universitetit Politeknik vazhdon të lëvizë si simbol i luftërave të reja dhe mosbindjes ndaj planeve të pushtetit kapitalist.

Diktatura 7-vjeçare i shërbeu me kamxhik qëllimeve të pushtetit kapitalist dhe aleatëve ndërkombëtarë, SHBA-ve dhe NATO-s. U konfirmua se intensiteti i antikomunizmit dhe sulmi kundër KKE është një paralajmërues i zhvillimeve negative për popullin.

«Do t’ju siguroj gjithçka», thoshte diktatori Papadhopulos duke iu drejtuar pronarëve të anijeve greke, dhe këtë e bëri praktikë në kurriz të së drejtave të popullit grek. Pushteti ekonomik dhe politik gjatë juntës ushtarake ishte në duart e klasës borgjeze. Komplotistët e grushtit të shtetit dolën nga zorrët e shtetit borgjez dhe NATO-s. Junta ushtarake u trondit nga Universiteti Politeknik dhe më në fund u shemb pas grushtit të shtetit që bëri junta në Qipro dhe pushtimit të ishullit nga Turqia e mbështetur nga NATO në vitin 1974. U provua edhe atëherë se pjesëmarrja e Greqisë në NATO, marrëdhëniet e larta me SHBA-të nënkuptojnë “pasiguri” dhe “jostabilitet” për popullin.

Kjo është arsyeja pse nostalgjikët e juntës janë “kryetrimat” e sistemit. Mbetjet e Agimit të Artë nazist-kriminal dhe organizatave të tjera fashiste dhe nacionaliste, me tolerancën e shtetit, po përpiqen të dalin nga vrimat nga ku i ka dërguar populli. Ata përbëjnë një rezervë e dobishme e pronarëve kundër popullit. Janë pjella të politikës së BE-së imperialiste dhe qeverive të saj, të antikomunizmit, të përgatitjeve për luftë, të intensitetit të represionit, por edhe të politikës raciste kundër emigrantëve dhe refugjatëve.

Gjithçka përmbyset nëse kryengrihesh!

KKE i jep të gjithë forcën e saj për formimin e një lëvizjeje të koordinuar mbarëkombëtare të klasës punëtore dhe aleatëve të saj, fermerëve të varfër, profesionistëve të pavarur dhe të vetë-punësuarve, me kërkesa kundër armikut të tyre të përbashkët: Sistemit kapitalist.

Nderim për luftën anti-diktatoriale të popullit është sot lufta për përmbysjen e diktaturës së kapitalit, lufta për të gjitha të drejtat bashkëkohore të rinisë dhe popullit, për liritë popullore, kundër luftës imperialiste dhe përfshirjes së Greqisë. Luftë për të drejtat e popullit do të thotë luftë për socializëm - komunizëm, shoqërinë e lirisë së vërtetë, pushtetin e punëtorëve, ekonominë që pushon së funksionuari bazuar në fitimet e pakicës, por e projektuar dhe e zhvilluar për të përmbushur nevojat bashkëkohore shoqërore dhe popullore.

Të gjithë dhe të gjitha në demonstratat e mëdha anti-imperialiste ditën e Hënë, më 17/11, në të gjithë vendin!